Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Besa Famgas ndal hovin e Rahovecit, ia shkakton humbjen e parë

Rahoveci më nuk është skuadër e pamposhtur në Superligën e Kosovës në hendboll. Disfatën e parë në këtë edicion garues ia shkaktoi kampionia aktuale, Besa Famgas, të shtunën mbrëma në Pejë.
Në një atmosferë të bukur sportive, Besa Famgas e Rahoveci luajtën ndeshje shumë të fortë e dramatike. Si të gjitha ndeshjet tjera mes këtyre dy skuadrave, sfida u vendos në aksionet e fundit. Portieri i Besës, Flakrim Beqiraj priti gjuajtjen e Igor Radojeviqit në sekondat e fundit për fitoren 31:30 të skuadrës pejane.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, ndërsa pas minutës së 15-të “vreshtarët” bënë shkëputje që shkoi deri në pesë gola. Pas 30 minutash lojë, rezultati ishte 17:13 për Rahovecin.

Në pjesën e dytë vendësit ishin më të vendosur dhe barazuan rezultatin në 18:18 në minutën e 42-të. Prej minutës së 44-t, Besa kaloi në avantazh dhe e mbajti thuajse deri në fund. Epërsia e Besës ishte prej një e dy golash, kurse Rahoveci ia doli të barazoi vetëm në minutën e 58-të, 29:29 e më pas edhe 30:30.

Edonis Hajra realizoi për 31:30, ndërsa Beqiraj në fund bëri pritje vendimtare për fitore të madhe.
Arbios Mushkolaj i shënoi nëntë gola për Besën. Nga pesë i kishin Jon Vokshi e Igor Chiesliov. U shqua Beqiraj me pritje në pjesën e dytë, por edhe të rinjtë Edonis Hajra (3 gola) e Olsi Mulaj.
10 gola për Rahovecin i shënoi Igor Radojeviq. Shtatë i kishte Alban Haziri ndërsa pesë Egzon Gjuka. Tri gola i realizoi Jeton Bislimi që po ashtu nxori shumë penallti. Për periudhë të gjatë u dallua edhe portieri Arti Luzha.

Rahoveci mbetet lider me 48 pikë. Besa tani i ka 42 pikë në pozitën e dytë.

Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshjet tjera të javës së 25-të. Kastrioti e mposhti në udhëtim Vushtrrinë me rezultat 43:29. Lulzim Shabani i realizoi 9 gola për Kastriotin, kurse Erkan Abazxhiku e Adnan Musa i kishin nga shtatë gola për Vushtrrinë.
Trepça fitoi ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me rezultat 36:21.
12 gola për mitrovicasit i shënoi Shpëtim Mehmeti. Besmir Kusari i kishte gjashtë gola për Vëllaznimin.