Besa fiton derbin dhe del në vendin e parë

Besa Famgas e ka fituar derbin e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në hendboll. Të shtunën mbrëma në Pejë, në një ndeshje tipike kampionale, Besa fitoi ndaj Trepçës me rezultat 28:23. Pas pjesës së parë pejanët kishin epërsi prej tri golave, 13:10. Vendasit vazhdimisht kanë qenë në epërsi, por jo shumë të lartë. Mitrovicasit janë mbajtur në lojë, por pa rrezikuar fitoren e Besës.

Egzon Gjuka ishte më efikasi me 7 gola. 5 i realizoi Balsha Raçiq. Alban Shabani ishte më efikasi te Trepça me 7 gola, kurse 5 i kishte Shpëtim Mehmeti. Te mitrovicasit u dallua portieri Meriton Lladrovci.

Besa Famgas tani udhëheq me 14 pikë, ndonëse i ka dy ndeshje më pak të luajtura. Për Besën ishte fitorja e shtatë rresht. Trepça ka rënë në pozitën e dytë, me 14 pikë po ashtu, por nga 9 ndeshje.

Fitore të pritura kanë shënuar Vëllaznimi ndaj Drenicës (70:18) dhe Kastrioti ndaj Zhegrës (45:23).

Lajme tjera