Besa fiton derbin, Trepça vazhdon me fitore

Kampioni aktual i Kosovës në hendboll, Besa Famgas është kthyer te fitorja të shtunën në mbrëmje kur në palestrën “Karagaçi” në Pejë e mposhti Prishtinën me rezultat bindës, 33:19. Ishte kjo kryendeshja e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës për hendbollistë. Besa javën e kaluar pësoi nga Kastrioti në Ferizaj, por të shtunën në Pejë dëshmoi potencialin e madh që ka. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:7 në të mirë të ekipit pejan. Prishtina në vjeshtë kishte mposhtur Besën, por këtë herë pësoi humbje me rezultat të lartë.

Besa Famgas tani i ka 30 pikë dhe është ngritur në vend të parë. 30 pikë i ka edhe Kastrioti që ndeshjen e javës së 17-të e luan të dielen. Prishtina mbetet e treta me 28 pikë.

Besën drejt fitores e udhëhoqi E. Gjuka me 10 gola. Gola shënuan edhe plot 10 lojtarë tjerë të skuadrës pejane. Te Prishtina më efikasi ishte K. Kastrati me 4 gola.


Besa që në fillim u shkëput në rezultat duke krijuar epërsi prej 3:0. Shpejtë epërsia shkoi në gjashtë gola (8:2) dhe është rritur thuajse gjatë tërë ndeshjes.

Të shtunën është luajtur edhe ndeshja mes Zhegrës dhe Trepçës. Takimin e luajtur në Gjilan e fitoi Trepça me rezultat 36:30. Pas pjesës së parë mitrovicasit kishin epërsi prej tri golave, 13:10. Për Trepçën kjo ishte fitorja e tretë rresht në stinorin pranveror, ndërsa rezultatet e mira i mundësuan ngritje të madhe në tabelë. Tani Trepça është e gjashta me 13 pikë, sa i ka edhe Vushtrria në vend të pestë. Trepçën drejt fitores e udhëhoqi S. Maxhera, që shënoi 13 gola. Aq gola i shënoi edhe A. Haziri për Zhegrën, që renditet e teta me 9 pikë.

Dy ndeshjet e fundit të javës së 17-të luhen të dielen (nesër). Nga ora 17:00 takohen Vëllaznimi e Drenica, ndërsa prej orës 17:30 luajnë Kastrioti e Drita.

Besa Famgas – Prishtina 33:19 (17:7)

Besa Famgas: Mehmeti, B. Idrizi 3, Vokshi 3, Broqi 1, Gjuka 10, Jupa 2, Tetova, D. Tahirukaj, Dri. Tahirukaj 4, Ramosaj 2, Kukrika 3, Berisha, Çuziq 2, Bislimi 1, Tafilaj, J. Muqolli 2.

Prishtina: Beqiraj, Ademi, Krasniqi 3, Basholli, Abazi 1, Bajqinovci 1, Fetahu 2, Visoka 3, Hoxha, Shahini, Beshiri 3, Gjuka 2, Kastrati 4, Batatina, Kolev, Agushi.

Zhegra – Trepça 30:36 (10:13)

Zhegra: Ibrahimi, A. Haziri 13, Murseli 2, Shaqiri 3, M. Murseli 4, Aliu 1, A. Isufi 6, F. Isufi, L. Haziri 1.

Trepça: Beqiri 3, Buqinca, Terziqi, Zhuri 8, Fejzullahu, Mujka 5, Tahiri, Abazxhiku 4, Maxhera 13, Pllana, Nimani 3, Sejdijaj.

Lajme tjera