Besa fiton përballjen e fortë me Prishtinën

Besa FamGas është shkëputur në krye të tabelës në Superligën A të Kosovës në hendboll për meshkuj. Besa, që është kampione aktuale, të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë e fitoi derbin e madh ndaj Prishtinës me rezultatin 23:17. Ndeshja i takoi xhiros së dytë të Superligës A, përkatësisht xhiros së 20-të kampionale.

Dy skuadrat kishin nga 18 fitore e një humbje para derbit, ndërsa humbjet ia kishin shkaktuar njëra-tjetrës. Tani Besa prinë me 38 pikë kurse Prishtina mbetet e dyta me 36 pikë. Derbin e përcjellën rreth 600 shikues, ndërsa ishte një ndeshje e fortë fizike.

Ekipi pejan te fitorja erdhi pas paraqitjes më të mirë në pjesën e dytë. Arbër Curri bëri shumë pritje në portë, kurse Kastriot Jupa dhe lojtarët tjerë ishin efikas para portës së Prishtinës. Kjo bëri që Besa në fund të arrijë fitore me gjashtë gola dallim, ndonëse pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë. Rezultati i pjesës së parë ishte 10:9 në të mirë të Besës.

Kastriot Jupa ishte më efikasi te Besa me tetë gola. Tarik Megjiq realizoi pesë herë. Ndërkohë te Prishtina më efikasi ishte Deniz Terziqi me shtatë gola. Ai në pjesën e parë ishte thuajse i pandalshëm. Ndërkohë në portën e Prishtinës në pjesën e parë shkëlqeu Krste Kosteski që ndali shumë gjuajte të vendasve.

Prishtina mbeti e hendikepuar qysh në pjesën e parë kur për shkak të tri përjashtimeve me karton të kuq u ndëshkua Lindrit Fetahu. Ndërkohë për ndërhyrje të ashpër me karton të kuq në fillim të pjesës së dytë u ndëshkua Drilon Tahirukaj i Besës.

Dy ndeshjet tjera të javës së dytë të Superligës A luhen të dielen (nesër). Nga ora 17:00 në Gjakovë, Vëllaznimi e pret Dritën e Gjilanit, kurse prej orës 17:30 përballen Zhegra e Kastrioti. Kjo ndeshje luhet në Gjilan.

Në Superligën B është luajtur një ndeshje e javës së parë, përkatësisht e javës së 19-të kampionale. Të shtunën pasdite në Mitrovicë, Trepça e ka mposhtur Llapin me rezultat 31:28. “Xehetarët” janë të parët në Superligën B me 17 pikë, kurse Llapi mbetet i fundit me vetëm dy pikë. Ndeshja tjetër e javës së parë në Superligën B, mes Vushtrrisë e Samadrexhës luhet të dielen (nesër) nga ora 17:00.

Superliga A
Besa FamGas – Prishtina 23:17 (10:9)

Besa FamGas: Jupa 8, Megjiq 5, Biljaka 3, Kukrika 2, Dre. Tahirukaj 2, Muqolli 2, Gjuka 1.

Prishtina: Terziqi 7, Zherka 3, Prekazi 3, Gjuka 3, Syla 1.

Superliga B
Trepça – Llapi 31:28 (15:13)

Trepça: Terziqi, Tahiri, Beqiri 3, Zhuri 4, B. Shala 2, Nuhi 10, Qela, Sejdiu 3, Pllana 1, A. Shala, Mziu 8.

Lapi: Mani, Idrizi 7, Havolli 3, Hasani 4, Abazi 8, Visoka, Beshiri 2, Hoxha 4, Bajrami, Haxhiu, Retkoceri, Sejdiu.

Lajme tjera