Vushtrria i ka bërë rezistencë Besa Famgasit, por megjithatë pikët kanë mbetur në Pejë. Të shtunën mbrëma në kuadër të xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt), Besa Famgas e mposhti Vushtrrinë me rezultat 38:34. Ndeshja u luajt në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Pas epërsisë 4:1 të skuadrës vendase, më shumë nga loja kishte Vushtrria që ka udhëhequr për kohë të gjatë në pjesën e parë. Madje epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në pesë gola, 13:8. Pas pjesës së parë megjithatë rezultati ishte i barabartë, 16:16.
Në pjesën e dytë Besa ka mbajtur epërsinë, por mysafirët nuk janë dorëzuar deri në fund. Disa herë janë afruar në dy gola, por pa rrezikuar epërsinë e skuadrës vendase. Egzon Gjuka ka udhëhequr Besën me 12 gola. Nga gjashtë i shënuan Jon Muqolli e Arbios Mushkolaj.
Nemanja Drakuloviq i shënoi 12 gola për Vushtrrinë. Gjashtë i kishte Bozhidar Nikoqeviq, ndërsa nga pesë i shënuan Erkan Abazxhiku e Halim Miftari.
Ndeshje me rëndësi është luajtur edhe në Ferizaj në mes rivalëve të moçëm, Kastriotit dhe Prishtinës. Fitore shënoi skuadra vendase me rezultat 28:24.
Në pjesën e parë u luajt lojë e fortë, ndërsa mysafirët u shkëputën deri në tri gola. Por në epërsi ishin edhe vendasit.
Kastrioti bëri shkëputje në fillim të pjesës së dytë (19:14) dhe më pas e mbajti epërsinë prej 4-5 golash deri në fund. Festim Mustafa ishte më efikasi te Kastrioti me 11 gola. Shtatë i shënoi Hamdi Salihu, ndërsa gjashtë i kishte Mohamed Ali Arib.
Samid Mekiq shënoi shtatë gola për Prishtinën, kurse gjashtë i kishte Oltion Beshiri.
Ndërkohë Deçani nuk ka lejuar befasi duke fituar 31:19 ndaj Llapit. Të dielën është ndeshja Vëllaznimi – Rahoveci.