Kampioni i Kosovës në hendboll, Besa Famgas është i gatshëm për dy ndeshjet ndaj Batumit të Gjeorgjisë. Këto ndeshje luhen në fundjavë në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe i takojnë rrethit të parë të Kupës së EHF-së.
Skuadra pejane ka nisur me kohë përgatitjet dhe djelmoshat e Arben Muqollit janë shumë optimist se do të kalojnë pengesën nga Gjeorgjia. Batumi për herë të tretë garon në arenën evropiane, ndërsa Besa Famgas ka përvojë dukshëm më të madhe, mbi një dekadë. Edhe cilësia vlerësohet se është në anën e ekipit pejan, por te Besa janë maksimalisht të kujdesshëm dhe do t’i çasen ndeshjeve me seriozitetin maksimal, atë që e kërkon vazhdimisht trajneri Muqolli.
Me marrëveshje të dy klubeve, dy ndeshjet luhen në Pejë. E para luhet të shtunën nga ora 18:30 ndërsa e dyta të dielen në termin të njëjtë. Te Besa kanë bërë thirrje për tifozët që në numër sa më të madh të jenë në palestër që të përkrahin ekipin drejt realizimit të qëllimit.
“Kësaj rradhe kemi pasur një short shumë të favorshëm sepse do kemi kundërshtar një skuadër nga Gjeorgjia. Bëhet fjalë për ekip solid, jo me ndonjë cilësi më të madhe se ne. Kemi filluar përgatitjet që një muaj e gjysmë dhe jemi të gatshëm të përballemi me gjeorgjianët. Sivjet jemi ekip shumë i ri dhe të gjithë vendorë me vetëm një lojtar të huaj. Besoj që me ndihmën e publikut, që shpresoj do të jenë në numër të madh që të na japin përkrahje, do të kalojmë pa problem pengesën gjeorgjiane”, ka thënë pivoti i Besës, Kastriot Jupa.
Prej Jupës pritet shumë në fundajvë, por edhe prej djelmoshave tjerë të klubit pejan. Është një rast i mirë për të shfaqur cilësitë dhe ecurinë pozitive të hendbollit kosovar.