Një ndeshje shumë të fortë e dramatike kanë zhvilluar të mërkurën mbrëma hendbollistet e Prishtinës dhe ato të Ferizajt. Në fund fitore shënoi Ferizaj me një gol dallim, 30:29, për të bërë vend në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës.
Ferizaj u kualifikua në finale pas dy fitoreve ndaj Prishtinës. Prishtina e kishte fituar ndeshjen e parë në kryeqytet, ndërsa Ferizaj kishte fituar në shtëpi për të barazuar rezultatin në 1:1. Ndeshja e tretë dhe përcaktuese e gjysmëfinales u luajt të mërkurën mbrëma dhe ishte shumë interesante.
Ferizaj e nisi më mirë ndeshjen dhe ishte në epërsi të lehtë deri në minutën e dhjetë. Më pas Prishtina kaloi para dhe krijoi epërsi deri në 5 gola, 13:8. Pjesa e parë përfundoi 15:13 në të mirë të Prishtinës. Ferizaj ktheu epërsinë në minutën e 36-të, 17:16. Më pas u luajt lojë shumë e fortë dhe e barabartë. Asnjëra skuadër nuk ia doli të shkëputet më shumë se një gol deri në minutën e 56-të kur Ferizaj doli dy gola para, 28:26. Më pas Ferizaj kishte epërsi edhe prej 29:27, por Alma Nivokazi shënoi dy gola për 29:29. Golin e fundit e realizoi nga penalltia. Ferizaj e kishte aksionin e fundit, ndërsa fitoi faul kur koha e rregullt përfundoi. Gjuajtjen e fundit e ekzekutoi braziliania Ligia Da Silva, që ia doli të shënoi për festën e madhe të ferizajaseve.
Laticia Da Silva ishte më efikasja te Ferizaj me 13 gola. 6 i kishte Albulena Basha, ndërsa nga 4 i shënuan Mimoza Sefedini e Ligia Da Silva.
Te Prishtina më efikasja ishte Alma Nivokazi me 8 gola, sa i realizoi edhe Melike Ipçi. 5 herë realizoi Ivana Bojoviq, ndërsa 4 gola i shënoi Aida Stagova. Te të dy skuadrat janë dalluar edhe portieret me numër të madh të pritjeve.
Ferizaj në finale të plejofit takohet me Istogun. Ndeshja e parë është të shtunën në Istog.