Kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës (SHTHK), Leonard Cula ka marrë pjesë në seminarin e rëndësishëm të Federatës Evropiane të Hendbollit. Seminari është mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Vjenë të Austrisë, ndërsa në të morën pjesë përfaqësues të shteteve që kanë nënshkruar RINCK Konventën. Kjo Konventë ka të bëjë me shkollimin e trajnerëve të hendbollit, ndërsa Kosova është pjesë e saj. Shkollimi i trajnerëe të hendbollit të Kosovës tashmë po bëhet sipas kësaj Konvente prestigjioze.
Në seminar morën pjesë 40 kryetarë të shoqatave të trajnerëve të shteteve që janë pjesë e Konventës. Cula ka treguar se secili përfaqësues pjesëmarrës në seminar ka raportuar për shkollimin dhe edukimin e trajnerëve në vendin e tij.
“Ishte një seminar shumë i rëndësishëm, në të cilin u morën informata me vlerë të madhe për shkollimin e mëtejmë të trajnerëve kosovarë”, ka theksuar Leonard Cula.