Të shtunën mbrëma zhvillohet derbi i stinorit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Përballë do të jenë dy skuadrat kryesore në pjesën e deritashme të edicionit.
Kampioni aktual, Istogu, e pret liderin e klasifikimit, Ferizajn. Ndeshja zhvillohet prej orës 19:30 në palestrën “Dresha” në Banjë.
Spektakli i hendbollit është i garantuar. Dy skuadrat kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur derbin, edhe për shkak të pauzës së gjatë për shkak të ndeshjeve të ekipit kombëtar. Të dy skuadrat kanë në përbërje lojtare cilësore e po ashtu me përvojë. Pritet që ndeshja të jetë e fortë dhe të vendoset vetëm në aksionet e fundit.
Ferizaj ka fituar 15 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 30 pikë. Istogu është i dyti me 28 pikë. Humbjen e vetme e ka pikërisht nga Ferizaj.
Në kuadër të xhiros së shtatë, Ferizaj e kishte mposhtur Istogun me rezultat 35:26.
Ndeshjet tjera të xhiros së 16-të zhvillohen në hije të derbit të madh. Të shtunën është edhe ndeshja Jusuf Gërvalla – Kastrioti, që luhet prej orës 15:00, si dhe ajo Samadrexha – Shqiponja (16:00).
Të dielën prej orës 17:30 është takimi Prishtina – Vushtrria.
Në Ligën e Parë është java e 15-të. KEK-u – Besa (19:00) është ndeshja e së shtunës. Të dielën janë takimet Llapusha – Verona (13:00) e Dukagjini – Prizreni (14:00). Për të enjten nga ora 16:30 është caktuar takimi Trepça – CLICK.