Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Dy ndeshje të forta e hapën kampionatin

Me dy ndeshje të forta e interesante është hapur edicioni 2021/2022 në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).

Ashtu si pritej, ndeshjet e së mërkurës kanë ofruar hendboll të mirë dhe rivalitet.

Derbi i skuadrave me traditë në mes të Trepçës dhe Vëllaznimit është fituar nga skuadra vendase me rezultat 28:24. Por ndeshja ishte e hapur deri në fund. Në pjesën e parë kryesisht në epërsi ishin gjakovarët, ndërsa pas 30 minutave rezultati ishte 12:12. Edhe në fillim të pjesës së dytë më të mirë ishin mysafirët, por pas minutës së 40-të, xehetarët kishin seri pozitive dhe dolën në avantazh me tre gola. Më pas ia dolën ta mbajnë epërsinë deri në fund të takimit shumë të luftuar.

Fitim Klinaku e Alban Shabani shënuan nga 6 gola. Nga 5 i kishin Kushtrim Kastrati e Shpetim Mehmeti kurse 4 i realizoi Sali Maxhera.

Te Vëllaznimi Ardi Halili e Mali Luzha shënuan nga 6 gola. Granit Fana shënoi 3 gola, kurse nga 2 i kishin Arnis Spahija, Arbër Neziri, Çlirim Rama e Florijan Rexha.
Ndërkohë në Rahovec janë takuar dy skuadrat e promovuara në elitën e hendbollit kosovar, Rahoveci e Deçani. Që në ndeshjen e parë si Rahoveci ashtu edhe Deçani kanë dëshmuar se kanë pretendimet për një kampionat të suksesshëm. Fitore ka shënuar Rahoveci me rezultatin 34:31. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:15 për vendasit.

Në pjesën e parë Rahoveci ishte në epërsi të lehtë, por deçanasit nuk kanë lejuar të shkëputet shumë skuadra vendase. Në pjesën e dytë epërsia e Rahovecit shkoi deri në tetë gola, kurse në fund rezultati ishte 34:31. Alban Haziri shënoi 17 gola për Rahovecin, kurse 7 i realizoi Gzim Misini.

Te Deçani më efikasi ishte Drilon Tahirukaj me 11 gola. 6 i realizoi Fatlind Mazrekaj kurse 5 Mirsad Jashari.