Kombëtaret e Kosovës në hendboll po bëhen gjithnjë e më atraktive për lojtarë dhe lojtare që bëjnë karrierë apo janë duke u zhvilluar në vende të ndryshme evropiane. Të gjitha ekipet kombëtare të Kosovës tashmë në rradhët e veta kanë lojtarë e lojtare që luajnë në shtete të Evropës. E fundit prej hendbollisteve të reja që ka shprehur interesim që t’i bashkohet Kosovës është Hava Maloku. Ajo vlerësohet lojtare e talentuar dhe me të ardhme të ndritur. Në një vizitë që Hava Maloku dhe familjarë të saj i bënë Federatës së Hendbollit të Kosovës u shkëmbyen informacione për ecurinë dhe rritjen e vazhdueshme të ekipeve kombëtare dhe poashtu për karrierën e lojtares në fjalë.
Maloku është e gjatë 180 centimetra, ndërsa është në moshë ende shumë të re. Është e lindur në shkurt të vitit 2004 ndërsa është e përkushtuar që karrierë në nivel kombëtaresh të bëjë me Kosovën, vendin e saj të origjinës. Pritet që Hava në të ardhmen e afërt t’i bashkohet fillimisht kombëtares U-16. Ajo është pjesë e klubit norvegjez Oppsal Handballklub Oslo.
Kështu vazhdon trendi i afrimit në kombëtare të lojtareve që bëjnë karrierë në Skandinavi. Prej Norvegjisë kombëtares tonë i janë bashkuar disa prej lojtareve më të mira duke përfshirë Mirela Gjikokajn, Dorentina Osmanin e disa vajza të tjera që tashmë po japin kontributin e tyre të madh në petkun e Kosovës. Federata e Hendbollit të Kosovës pos që vazhdimisht përcjell lojtarët dhe lojtaret me rrënjë nga Kosova, inkurajon të njëjtit dhe familjarët e tyre që të vëjnë kontaktet për të shqyrtuar mundësinë që të aktivizohen me Kosovën, që për secilin hendbollist e hendbolliste sjell nder e krenari.