Edicioni i ri fillon më 10 tetor

Bordi i federates ne mbledhje

Nën drejtimin e presidentit Eugen Saraçini, të martën është mbajtur mbledhja e Bordit të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Në mbledhjen e mbajtur në Sheshin 21 në Prishtinë, janë marrë shumë vendime të rëndësishme për hendbollin në Kosovë.

Bordi ka vendosur që edicioni i ri i garave (2020/2021) të fillojë më 10 tetor. Shorti për kampionatin e ri do të tërhiqet më 25 shtator.

Po ashtu është vendosur që Superliga e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave në edicionin e ri t’i ketë 12 skuadra. Në Superligë do të garojnë edhe Drita e Gjilanit dhe KEK-u i Obiliqit.

Istref Sadriu është rizgjedhur Komesar i Garave, kurse Fahredin Hashani, Komesar për vlerësimin e gjykimit të ndeshjeve.

Janë marrë edhe vendime që kanë ndikim në zhvillimin e mëtejmë të sportit tonë për periudhë më të gjatë.

Është aprovuar projekti i digjitalizimit të web-faqes së re, që starton nga edicioni i ri i garave. Bordi po ashtu ka aprovuar Manualin e Task-Forcës për COVID-19, sipas udhëzimeve të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Federatës Evropiane të Hendbollit dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Bordi ka formuar edhe Komisionin për caktimin e grupit punues që do të përgatit Strategjinë e Hendbollit për periudhë dhjetëvjeçare.

Në Bord është diskutuar edhe njëherë për fazën përfundimtare të kampionatit të kaluar. Është vlerësuar se organizimi ishte i nivelit të lartë, për çka vlerësime dhe falënderime kanë dhënë IHF-ja, EHF-ja dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lajme tjera