Më 15 shtator do të nis edicioni 2018/19 i garave në hendbollin kosovar. Është ky vendimi që ka marrë Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK). Bordi i FHK-së, nën drejtimin e presidentit Eugen Saraçini, ka mbajtur mbledhjen e 11-të të premten (dje) në lokalet e Federatës dhe ka marrë shumë vendime me rëndësi për hendbollin në vend.
Bordi, ndër të tjera, ka shqyrtuar Raportin e Komisarit të Garave për edicionin 2017/18, ndërsa ka diskutuar edhe për pjesëmarrjen e klubeve në Kupat Evropiane në edicionin e ardhshëm, 2018/19. Në rend të ditës ishin edhe ekipet kombëtare, përkatësisht pjesëmarrja e tyre në gara të ndryshme ndërkombëtare. Është diskutuar për pjesëmarrjen e kombëtareve U-18 dhe U-20 në kampionatet evropiane që mbahen në Mal të Zi përkatësisht në Austri. Anëtarët e Bordit janë njoftuar për përgatitjet e bëra, por edhe për shpresat për rezultate të mira të djelmoshave.
Në mbledhje janë shqyrtuar edhe Propozicionet e Garave për edicionin 2018/19, ndërsa Bordi mori vendimin që garat në Superligën e femrave të zhvillohen me 10 skuadra. Sistemi do të jetë vajtje-ardhje, ndërsa më pas do të luhet plejofi në mes katër skuadrave më të mira. Në ligat tjera nuk ka ndryshime, pra do të jetë sistemi i njëjtë si në edicionin e kaluar.
Bordi ka falenderuar përzemërsisht Komesarin e deritashëm, Nexhat Sharani, për punën e bërë deri më tani. Ndërkohë në mënyrë unanime ka vendosur që Komesar për edicionin e ri, 2018/19, të jetë Istref Sadriu, vëzhgues-kontrollues nga Vushtrria.
Vendim i Bordit është që paraprakisht Propozicionet si draft t’iu dërgohen klubeve, shoqatave dhe palëve tjera të interesit për diskutim publik dhe të njëjtat pas vërejtjeve dhe plotësimeve eventuale, të aprovohen. Palët e ndryshme kanë të drejtë që brenda 15 ditëve me shkrim të paraqesin vërejtjet, sygjerimet apo plotësimet në këtë dokument me rëndësi.
Siç u cek edhe më lartë garat në edicionin e ri, 2018/19, do të nisin më 15 shtator.