Hendbollistja nga Mali i Zi, Esma Muratoviq pritet ta udhëheq lojën e KHF Istogut edhe të shtunën mbrëma. Istogu e Vushtrria takohen nga ora 19:00 në palestrën e qytetit në Istog, në ndeshjen përcaktuese për titull të kampionit. Rezultati në serinë finale të plejofit është 1:1, pasi të dy skuadrat kanë fituar si vendase.
“I kemi fituar të gjitha ndeshjet deri më tani dhe secila ishte si lojë stërvitore. Në ndeshjen e dytë të finales së plejofit në Vushtrri, kemi luajtur dobët. Na ka munguar motivi, na ka kushtuar komoditeti në lojë, ndërsa kanë vendosur edhe shumë faktorë të tjerë. Kemi ekip cilësor dhe mendoj se krejt varet prej nesh”, ka thënë Esma Muratoviq.
“Jam shumë e lumtur që ndeshjen e tretë e luajmë në Istog, në palestrën tonë. Dhe do të japim çdo gjë nga vetja që të gëzohemi në fund”, ka shtuar ajo.