Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Evropiani në Prishtinë, të shtunën katër ndeshje

Çdo gjë është gati për Kampionatin Evropian për hendbollistet deri në 19 vjet që prej të shtunës deri më 16 korrik mbahet në Prishtinë. Ndeshjet do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet, ndërsa FHK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet që Evropiani të ketë rrjedhën e duhur.
Marrin pjesë hendbolliste nga nëntë ekipe kombëtare. Kombëtaret janë të ndara në dy grupe.
Në Grupin A janë Sllovakia, Italia, Finlanda, Kosova dhe Britania e Madhe. Në Grupin B bëjnë pjesë Austria, Polonia, Letonia dhe Izraeli.
Në kuadër të Grupi A, të shtunën prej orës 12:15 është ndeshja Finlanda – Britania e Madhe. Sllovakia e Kosova takohen prej orës 19:30. Një orë më herët është hapja zyrtare e Kampionatit Evropian të Divizionit të dytë.
Në Grupin B, Austria e Letonia luajnë prej orës 14:30. Ndërkohë Polonia e Izraeli përballen prej orës 16:45.
Ndeshjet e para pritet të dëshmojnë forcën e vërtetë të ekipeve kombëtare dhe janë me rëndësi të madhe.
Kombëtarja e Kosovës është përgatitur për kohë të gjatë në Gjakovë e Prishtinë, ndërsa ka pasur edhe dy ndeshje kontrolluese me Bullgarinë. Në shtabin teknik vlerësojnë se vajzat janë gati për të shfaqur më të mirën e mundshme.