Dy fitore, një barazim e tri humbje është bilanci i Kombëtares U17 (vajzat) në Kampionatin Evropian (B) që sot përfundon në Turqi. Kombëtarja e Kosovës të dielën në ndeshjen për vendin e shtatë fitoi ndaj Letonisë me rezultat 39:27. Në ndeshjen e fundit në grup vajzat tona barazuan 29:29 ndaj Finlandës. Në ndeshjen e parafundit në grup fituan 34:29 ndaj Bullgarisë.
Kanë humbur nga Sllovakia e Polonia me rezultat të lartë dhe nga Italia me rezultat 29:24, ndonëse ishin në lojë deri në minutën e 50-të.
Për herë të parë një ekip kombëtar për vajza të reja mblodhi pesë pikë në një Evropian.
Sa për krahasim, dy vjet më parë në Lituani, Kombëtarja U17 kishte humbur 24:23 nga Letonia dhe 44:10 nga Finlanda. Pra ngritja është evidente.
Natyrisht, ka ende shumë hapësirë për përmirësim, por zhvillimi i ekipeve kombëtare është i duhuri.
Kritikat e drejta e konstruktive natyrisht se i shërbejnë zhvillimit të mëtejmë të ekipeve kombëtare, por jo edhe ato që bëhen me prapavijë dhe me qëllime të caktuara, më së paku sportive.
Puna e përkushtimi i FHK-së për zhvillimin e ekipeve kombëtare do të vazhdojë.
Dëshminë për rritjen e mëtejme e presim menjëherë në vjeshtë, kur në vendin tonë mbahet IHF Trophy për vajzat e reja. Përmes IHF Trophy synojmë kualifikimin në Botëror me Kombëtaren U17 apo U19.