Ferizaj e Prishtina janë takuar të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në derbin e javës së 21-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Fitore me rezultat të lartë, 37:23, ka shënuar skuadra vendase, Ferizaj.
Ferizaj mbetet në vendin e tretë, por tani i ka vetëm dy pikë më pak se Prishtina e pozitës së dytë. Prishtina i ka 36 pikë, ndërsa Ferizaj i ka 34.
Ndeshjen më mirë e nisi Prishtina që krijoi epërsi 3:0 e 5:1. Madje epërsia e Prishtinës shkoi deri në shtatë gola, 11:4, 14:7. Por më pas vendaset realizuan seri prej 8:0 dhe në pushim shkuan me rezultatin 15:14. Në pjesën e dytë kanë dominuar ferizajaset, ndërsa fitorja e tyre nuk është vënë në rrezik. Në fund rezultati ishte 37:23.
Brazilianet kanë udhëhequr Ferizajn. Ligia Da Silva shënoi 13 gola, ndërsa qendra Ana Chavez ndeshjen e mbylli me 8 gola. 6 i shënoi Mimoza Sefedini.
Te Prishtina nga 4 gola i shënuan Ivana Bojoviq, Shkurta Mehmeti, Alma Nivokazi dhe Simone Keita.
Po të shtunën, lideri Istogu fitoi bindshëm ndaj Samadrexhës me rezultat 28:16, kurse Ulpiana e mposhti Dritën me shifrat 41:26.