Pasi ka befasuar Vushtrrinë në gjysmëfinale të plejofit, Ferizaj, synon të vazhdon me befasi edhe në finale. Skuadra që për herë të parë garon në Superligën e hendbollisteve, Ferizaj, e pret kampionin aktual, Istogun, të shtunën (nesër) nga ora 19:00. Ndeshja luhet në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Në Superligën e hendbollisteve në finale të plejofit luhen dy ndeshje. Ferizaj synon të krijoj avantazh në ndeshjen e parë, por kampioni Istogu natyrisht ka plane tjera dhe shpreson të bëjë hapin e madh drejt mbrojtjes së titullit.
Istogu në gjysmëfinale të plejofit ka pasur punë të lehtë, duke shënuar dy fitore të thella ndaj Prishtinës.
Rrugëtim më ndryshe kishte Ferizaj. Kjo skuadër e humbi ndeshjen e parë si vendas nga Vushtrria me 27:24. Por në Vushtrri shënoi fitore me rezultat 30:22 dhe kaloi në finale.
Ndeshja në mes të Ferizajt dhe Istogut transmetohet në faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës në “facebook’.