Federata e Hendbollit të Kosovës i ka marrë të gjitha masat për kthim të sigurt të skuadrave në stërvitje dhe në ndeshje. Në vazhdën e këtyre angazhimeve të hënën është vënë në funksion Task-Forca që për qëllim ka koordinimin e veprimeve për fillim të stërvitjeve dhe për vazhdim të kampionatit.
Task-Forca përbëhet nga Komisioni Shëndetësor i FHK-së, stafi mjekësor i kombëtareve, Komesari i Garave, Istref Sadriu, si dhe nga anëtarë të ekipeve pjesëmarrëse në gara (mjekë).
Bordi i FHK-së më 19 maj ka vendosur që skuadrat të kthehen në stërvitje në fillim të qershorit, kurse kampionati të rifillojë më 13 qershor.
Komisioni Shëndetësor, i përbërë nga kryetari Dr. Floren Kavaja si dhe anëtarët, Dr. Lindita Ajazaj – Berisha dhe Dr. Edi Kolgeci, së bashku me palët tjera të përfshira kanë përgatitur udhëzuesin për masat parandaluese ndaj COVID-19. I njëjti u është dorëzuar klubeve që t’i përmbahen gjatë kthimit në stërvitje dhe ndeshje.
Udhëzuesi është përgatitur në bazë të rekomandimeve të bëra nga IKSHPK-ja dhe IHF-ja.
Koordinatore e FHK-së për përcjelljen e zbatimit të udhëzuesit dhe për zbatimin e këshillave gjatë ushtrimeve dhe garave është caktuar Erlinda Hakaj nga stafi mjekësor i Kombëtareve së Kosovës. Ajo do të koordinojë veprimet me IKSHPK-në, federatën dhe klubet.
Sipas koordinatores Hakaj, në çdo qendër ku do të zhvillohen garat do të ketë mjekë të cilët do të përkujdesen për zbatimin e udhëzimeve të FHK-së. Po ashtu ajo do të inspektojë skuadrat për të vërtetuar që janë marrë masat e nevojshme sa i takon ruajtjes së shëndetit dhe higjienës.
Udhëzuesi mund të gjendet këtu:/uploads/FHK_Udhezues_per_masat parandaluese COVID19.pdf