FHK-ja pjesë e fushatës #BeActive

Prej 23 deri më 30 shtator është Java Evropiane e Sportit. Është kjo një fushatë e rëndësishme përmes të cilës promovohet mënyra më aktive dhe e shëndetshme e jetës.
Pjesë e fushatës #BeActive, përkatësisht e Javës Evropiane të Sportit, është edhe Federata e Hendbollit e Kosovës. Javën Evropiane të Sportit prej fillimit e mbështet edhe Federata Evropiane e Hendbollit me aktivitete që janë pjesë e “European Open Week of Handball”.
Java Evropiane e Sportit në Kosovë është hapur më 23 shtator, me aktivitete në Prishtinë, Istog, Pejë e Vitomiricë.
Aktivitetet e hendbollit janë mbajtur që në ditën e dytë të Javës Evropiane. Ato janë organizuar në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Rahoveci gradualisht po shndërrohet në qendër të rëndësishme të hendbollit kosovar. Dhe organizimi i aktivitetit për Javën Evropiane të Sportit shkon në këtë drejtim.
Në aktivitetin në Rahovec morën pjesë plot 90 të rinj nga Gjakova e Rahoveci. Aktiviteti ishte shumë i suksesshëm, kanë vlerësuar përgjegjësit dhe pjesëmarrësit.

Lajme tjera