FHK-në e viziton zëvendësministrja Daulina Osmani

Të hënën për vizitë pune në Federatën e Hendbollit të Kosovës ka qëndruar zëvendëministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.
Zv.ministrja Osmani është pritur nga presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci. Takimi ishte shumë konstruktiv, ndërsa është biseduar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me aktivitetet e shumta të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Presidenti Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm Gjinovci e kanë njoftuar zëvendësministren Osmani për përgatitjet që janë bërë për IHF Trophy që këtë javë mbahet në Prishtinë dhe po ashtu për ndeshjet e Kombëtares A me Danimarkën, superfuqinë e hendbollit.
Është biseduar edhe për aktivitetet e ardhshme të FHK-së, si Kampionati Botëror për të rinj që planifikohet të mbahet në Kosovë në vitin 2026. Zëvendësministrja Osmani është njoftuar për planet e projektet e FHK-së e po ashtu për idetë e shënimit të 70-vjetorit të themelimit të Federatës së Hendbollit.
Është biseduar edhe për telashet që kanë klubet e hendbollit me palestra të ndryshme në vend.
Presidenti Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm Gjinovci, kanë falënderuar zëvendësministren Osmani për vizitën dhe për bashkëpunimin shembullor.
Zv.ministres Osmani iu dorëzua një plaketë falënderimi për organizimin e Kampionatit Evropian për hendbollistet deri në 19 vjet.

Lajme tjera