Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Fitore e thellë ndaj Britanisë së Madhe

Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të thellë të shtunën në kampionatin evropian të Divizionit B që po mbahet në Tulln të Austrisë. Kosova fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultatin 31:23. Ndeshja ishte e vlefshme për plasman përfundimtar në evropian, përkatësisht për renditje prej pozitës nëntë deri në pozitën e 12-të.

Kosova ishte më e mirë se Britania e Madhe në të gjitha elementet e lojës dhe kështu arriti te fitorja e lartë. Gjërat funksionuan më mirë te Kosova, por edhe rivali nuk e kishte cilësinë e rivalëve që kombëtarja jonë i pati në grup.

Në kuadër të grupit B, Kosova i ka humbur të gjitha pesë ndeshjet, duke përfunduar e gjashta. Por në disa prej ndeshjeve ka pasur elemente pozitive që japin shpresë për këtë gjeneratë që është në konsolidim e sipër. Fitorja e së shtunës është e mirëseardhur për djelmoshat tanë para sfidave që i presin në vazhdim të vitit.

Kosova e ka edhe një ndeshje në Evropian. Do të luajë ndaj Bullgarisë për plasman në pozitën e nëntë apo të dhjetë. Bullgaria ka shkaktuar befasi duke mposhtur kombëtaren tonë në ndeshjen e fundit në grup dhe të dielen (nesër)paradite, djelmoshat tanë e kanë rastin për revansh. Ka optimizëm të madh se kjo mund të ndodhë. Nëse eventualisht përfundon në vendin e nëntë kombëtarja jonë, ky do të ishte një rezultat megjithatë solid i gjeneratës që për herë të parë po shijon skenën ndërkombëtare.

Ndaj Britanisë së Madhe shkëputja u bë herët dhe pjesa e parë përfundoi me rezultatin 17:8. Më efikasi ishte Adonit Isufi me 10 gola.

Britania e Madhe – Kosova 23:31 (8:17)

Kosova: Thaqi, Idrizi 6, Berisha 1, Maloku, Isufi 10, Qerimi, Neziri 2, Delija 1, Fana, Basholli, Hajdini, Selmani 1, Vokshi 6, Dukaj 1, Quni 1, Muqolli 2.