Fitore e vështirë e Besës ndaj Rahovecit

Kampionia në fuqi, Besa Famgas e ka fituar ndeshjen e fundit për vitin 2022. Të premten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Besa e mposhti Rahovecin me rezultat 34:31.
Ishte kjo ndeshje e mbetur e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Ndeshja ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Besës në garat evropiane.
Ndeshjen më mirë e nisën mysafirët. Krijuan epërsi 6:2 e më pas edhe 11:6. Epërsia e Rahovecit shkoi duke u rritur, ndërsa në minutën e 23-të rezultati ishte 16:9.
Por vendasit u kthyen dhe në minutën e 30-të rezultati ishte 16:15.
Në minutën e 36-të rezultati u barazua në 19:19. Më pas Besa Famgas kaloi para, por ndeshja interesante vazhdoi. 22:22 ishte rezultati në minutën e 41-të, ndërsa sërish 25:25 në minutën e 46-të.
Në minutën e 53-të Besa u shkëput në tri gola, 31:28, dhe më pas mbajti deri në fund epërsi prej dy e tri gola.
Besa ka pasur disa mungesa, ndërsa më efikasi ishte Olsi Mulaj me 11 gola. Tetë i shënoi Nikola Prce, ndërsa shtatë i kishte Jon Muqolli.
Alban Haziri i shnëoi nëntë gola për Rahovecin. Gjashtë i kishte Adonis Isufi, ndërsa Mali Luzha e Maley De Carvalho Fernandes i shënuan nga katër gola.
Besa e përfundoi vitin në pozitën e parë me 23 pikë nga 12 ndeshje.
Rahoveci renditet i pesti me 13 pikë nga 13 ndeshje.

Lajme tjera