Me numër shumë të limituar të lojtareve (10 gjithsej, prej tyre 3 portiere), Kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur Luksemburgun. Ndeshja e së premtes e luajtur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, i takoi Kosovës me rezultat 33:27.
Vajzat tona meritojnë falënderime dhe vlerësime për angazhimin e pashoq gjatë 60 minutave lojë. Ndonëse luajtën vetëm shtatë lojtare, ato nuk janë ndalur për asnjë çast dhe falë angazhimit dhe luftës sportive, kanë shënuar fitore me shumë peshë.
Në ndeshjen ndaj Qipros lëndim serioz pësoi Arlinda Hajdari, ndërsa të enjten e të premten shumë lojtare kanë pranuar rezultat pozitiv në testin për koronavirus. Kjo bëri që selektori Agron Shabani të ketë në dispozicion vetëm 10 lojtare.
Vajzat e selektorit Shabani nuk janë ndalur dhe kanë dëshmuar që me angazhim dhe dëshirë për ta prezantuar vendin, çdo gjë është e mundur.
Kombëtarja jonë e nisi ndeshjen fuqishëm dhe krijoi herët epërsi të lartë. Pjesa e parë përfundoi 16:9.
Në pjesën e dytë lojtaret e Luksemburgut kanë dhënë më shumë dhe janë afruar në një moment në dy gola. Por pas një pushimi të kërkuar nga selektori Shabani, Kombëtarja jonë është kthyer në rrugën e duhur dhe e ka mbajtur epërsinë deri në fund, 33:27.
Pashke Marku ishte më efikasja me dhjetë gola. Albina Rugova e Suzana Ujkiq shënuan nga 8 gola ndërsa Marigona Hajdari shtoi 5. Ka shkëlqyer portierja dhe kapiteni Njomza Kelmendi me shumë pritje. Kontribut të çmuar kanë dhënë edhe Aida Stagova e Alma Nivokazi, që shënuan nga një gol, por edhe Rinesa Uka, Meltem Ylberi e Blerta Ahmetxhekaj.
Hendbollistet që luajtën kanë pasur përkrahje të madhe nga lojtaret që nuk e kishin këtë herë mundësinë të jenë në fushën e lojës.
Nesër në program është ndeshja me Portugalinë, që vendos për vendin e parë në grup dhe për avancim tutje.