Të shtunën janë luajtur ndeshjet e para të javës së parë të Superligës së hendbollisteve.
Skuadrat favorite kanë shënuar fitore, disa shumë të thella.
Kështu, kampionia aktuale, Vushtrria, ka fituar si vendase ndaj Shqiponjës me rezultatin 50:31. Burneta Rama i shënoi 17 gola, Lorena Matarova 10 e Donita Kasumi 8 gola për Vushtrrinë. Argoneta Goqi shënoi 11 herë për Shqiponjën.
Istogu fitoi në palestrën e tij ndaj Dritës së Gjilanit me rezultatin 46:7. Anja Bojaniq i shënoi 12 gola për Istogun, kurse 9 i kishte Adelina Berisha.
Si vendas fituan edhe Prishtina e Kastrioti.
Prishtina fitoi ndaj skuadrës deçanase, Jusuf Gërvalla me rezultat 35:20. Kapitenia Aida Stagova ishte më efikasja te Prishtina me 8 gola. Arjeta Imeraj i shënoi 11 gola për Jusuf Gërvallën.
Kastriotin e Ferizajt drejt fitores ndaj Vëllaznimit e ka udhëhequr Puhiza Gashi me 12 gola. Ndeshja përfundoi 39:20 në të mirë të Kastriotit. Te gjakovaret, Edona Radoniqi i shënoi 7 gola.