Kombëtarja e Kosovës në hendboll (meshkujt) ka mbetur fuqishëm në garë për kualifikim në Euro 2026. Të enjten mbrëma në Prishtinë, në praninë e afro 2000 shikuesve, Kombëtarja jonë fitoi 31:30 ndaj Ukrainës.
Me fitore, Kosova doli në vendin e tretë në Grupin 6 me tri pikë, sa i kanë edhe Ishujt Faroe në vendin e dytë. Udhëheq Holanda me katër pikë, ndërsa Ukraina i ka dy pikë.
Ndeshja ishte shumë e fortë, kurse Kosova ishte në shumicën e kohës në epërsi. Në fillim të ndeshjes u shqua Haris Berisha me disa pritje rresht e më pas Valon Dedaj rreshtoi disa gola. Drenit Tahirukaj, Egzon Gjuka, Leonard Gegaj, Drilon Tahirukaj e Luigj Quni i kishin momentet e tyre në sulm, ndërsa mbrojtja e udhëhequr nga Bujar Ramosaj e kreu punën me sukses. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:12 për Kosovën.
Në pjesën e dytë epërsia u rrit në gjashtë gola, 21:15. Pasoi një periudhë e vështirë në lojën tonë dhe Ukraina barazoi në 23:23. Sërish djemtë tanë u shkëputën në dy gola, por ukrainasit barazuan në 27:27 e më pas 28:28 e 29:29. Në minutat e fundit kishte gabime të shumta në të dy anët, ndërsa golin e fundit e shënoi Egzon Gjuka në minutën e 58-të.
Leonard Gegaj shkëlqeu me nëntë gola. Tetë i kishte kapiteni Valon Dedaj, ndërsa nga katër i shënuan Luigj Quni, Egzon Gjuka e Drenit Tahirukaj.
Të dielën Kombëtarja jonë luan sërish me Ukrainën, këtë herë në Klaipeda të Lituanisë.