Fitore shumë e vështirë e Istogut në derbin dramatik me Ferizajn

Ndeshja mes Istogut e Ferizajt e ka arsyetuar plotësisht epitetin e derbit. Istogu ka shënuar fitore me një gol dallim. Te fitorja, skuadra istogase ka ardhur me shumë mund dhe vetëm në momentet e fundit të ndeshjes.

Ndeshja e xhiros së 14-të të Superligës së hendbollisteve përfundoi me rezultat 32:31 për Istogun. 14:14 ishte rezultati pas pjesës së parë. Ferizaj ishte në epërsi thuajse gjatë tërë pjesës së parë, por pas 30 minutave lojë shifrat ishin të barabarta.

Lojë e njëjtë vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Ferizajaset vazhdimisht ishin në epërsi prej një e dy gola. Vendaset arritën vetëm të barazojnë rezultatin, por jo të kalojnë në epërsi. Por fundi i ndeshjes ishte tregim tjetër. Në minutën e 57-të, Ferizaj shënoi gol për epërsinë 30:28. Më pas lojtaret e Istogut ia dolën të shënojnë katër gola për epërsinë e tyre prej 32:30. Krejt në fund Ferizaj shënoi edhe një gol për rezultatin final, 32:31 në të mirë të Istogut.

Esma Muratoviq ka udhëhequr Istogun me 14 gola. Dajana Milaniq shtoi 8 gola. Albulena Kelmendi e braziliania Ligia Costa ishin më efikaset te Ferizaj me nga 8 gola. Për brazilianen ishte ndeshje debutuese dhe me të në përbërje, Ferizaj kishte fytyrë tjetër. Por skuadrën ferizajase sikur e lëshoi forca dhe koncentrimi në momentet e fundit. Te Ferizaj u dallua edhe portieria Veselinka Trenoska.

Istogu vazhdon me bilanc të qind për qindtë në Superligë. Ka fituar 14 ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 28 pikë. Ferizaj është i katërti me 20 pikë.

Po të shtunën, Prishtina fitoi në udhëtim ndaj Vëllaznimit me rezultat 38:18. Ndërsa Jusuf Gërvalla e fitoi ndeshjen me Ulpianën me rezultat 30:22. Tri ndeshje tjera të javës së 14-të janë të dielën.

Lajme tjera