Të shtunën u luajtën dy ndeshjet e para të xhiros së njëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça e ka mposhtur Deçanin me rezultat 36:30.
Pas fillimit të barabartë, vendasit shpejtë u shkëputën në 11:5 dhe më pas mbajtën epërsi konstante deri në fund të pjesës së parë (20:14). Në pjesën e dytë epërsia e Trepçës shkoi deri në 12 gola, kurse në fund rezultati ishte 36:30.
Kushtrim Kastrati i shënoi 9 gola për Trepçën. Tetë i kishte Yassine Benjouida, ndërsa shtatë i realizoi Yassine Henahen.
Te Deçani, 10 gola i shënoi Fatlind Mazrekaj. Pesë i kishte Matheus Henrique.
Ndërkohë Prishtina ka fituar bindshëm ndaj Llapit. Ndeshja në kryeqytet përfundoi 51:24 për skuadrën vendase.
Agon Bajqinovci e Enis Kuleta i shënuan nga 13 gola për Prishtinën. Tetë gola i shtoi Sergio Barreto.
Te Llapi më efikasi ishte Altin Mani me gjashtë gola. Nga katër i shënuan Blerton Hasani e Endrit Havolli.
Të dielën është derbi Rahoveci – Vushtrria, kurse ndeshja Kastrioti – Besa Famgas është shtyrë për shkak se Besa luan ndeshje evropiane të dielën.