Fitorja e 22-të për Rahovecin

Rahoveci ka vazhduar serinë impresive në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e mposhti Prishtinën me rezultat 37:32.
Për Rahovecin ishte fitorja e 22-të rresht në elitën e hendbollit kosovar. Udhëheq në tabelë me 44 pikë. Prishtina mbetet e pesta me 18 pikë, ndërsa e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Deri në minutën e 15-të u zhvillua ndeshje e barabartë. Pasoi një shkëputje e Rahovecit prej disa golash. Prishtina megjithatë nuk u dorëzua, duke u ofruar rezistencë deri në fund vendasve dhe duke e bërë ndeshjen interesante.
Pas shkëputjes 29:21 të Rahovecit, Prishtina ia doli të afrohet në dy gola, 30:28, në minutën e 50-të. “Vreshtarët” megjithatë menaxhuan lojën deri në fund për të arkëtuar dy pikë të reja.
Jeton Bilsimi ishte më efikasi te Rahoveci me shtatë gola. Gjashtë i kishte Victor Alonso, ndërsa nga pesë i realizuan Alban Haziri e Adonit Isufi.
Albi Gjuka i shënoi nëntë gola për Prishtinën. Shtatë i kishte Vladyslav Napadailo, ndërsa Enis Kuleta e Gent Bajrami shtuan nga pesë.
Dy ndeshjet tjera të xhiros së 22-të, Trepça – Kastrioti dhe Besa Famgas – Vushtrria, janë të dielën prej orës 19:00.

Lajme tjera