Kastrioti e ka shënuar fitoren e parë në edicionin 2024/2025 të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të mërkurën mbrëma në Shtime, Kastrioti fitoi ndeshjen e mbetur të xhiros së parë ndaj Vjosës.
Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të angazhimeve evropiane të klubit ferizajas.
Kastrioti fitoi me rezultat 40:29.
Skuadra mysafire nisi shkëputjen në pjesën e parë, ndërsa në të dytën epërsia shkoi deri në 12 gola.
Deniz Terziqi i shënoi 12 gola për Kastriotin. Tetë i kishte Besnik Bytyqi. Pesë gola i shënoi Lulzim Shabani e katër Gentrit Brahimi.
Festim Mustafa i realizoi 10 gola për Vjosën. Nga pesë i kishin Sinisha Pavlov e Stefan Kocharov.
Vjosa e pësoi humbjen e parë, pas dy fitoreve. Kastrioti ka një fitore e një humbje. Nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së dytë ndaj Llapit.