Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Franca i gëzohet titullit para 14 mijë shikuesve

Mbi 14 mijë shikues ishin në palestër për të parë ndeshjen finale të kampionatit evropian për hendbolliste në mes të Francës dhe Rusisë. Ndeshja finale u luajt të dielen në Paris, ndërsa kampion i Evropës u shpall Franca. Franca nikoqire e fitoi finale e “Euro 2018” me rezultat 24:21.

Pas pjesës së parë rezultati ishte 13:12 për francezet që në pjesën e dytë mbajtën vazhdimisht epërsinë prej disa golave. Alexandra Lacrabere me gjashtë gola ishte më efikasja te Franca. Rusinë në finalen e fuqishme e udhëhoqi Anna Vyakhireva me shtatë gola.

Franca kështu ka fituar titullin e Evropës pas titullit të botës që e fitoi vitin e kaluar. Rusia është kampione olimpike, por në finale të Evropianit nuk ia doli të fitojë.

Numri i saktë prej 14,060 shikuesve është më i madhi në një ndeshje të Evropianit, në historinë 24-vjeçare të kësaj ngjarje.

Franca nuk kishte fitore ndaj Rusisë që prej çerekfinales së botërorit në vitin 2011, ndërsa kishte pësuar katër disfata prej atëherë. Kishte pësuar edhe në finale të Lojërave Olimpike dhe në ndeshjen hapëse të këtij Evropiani. Rusia ka humbur finalen e saj të dytë Evropiane. Nga Norvegjia kishte pësuar në vitin 2006.

Në përgjithësi ishte një kampionat evropian që u vlerësua shumë lartë dhe ku loja e hendbollit preku nivele të reja.