Gara për titull të kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat) ka hyrë në fazën finale. Pas përfundimit të pjesës së rregullt të kampionatit, në fundjavë zhvillohen ndeshjet e para të gjysmëfinales së plejofit.
Në plejof paraqiten katër skuadrat më të mira. Në finale kalojnë skuadrat që i shënojnë nga dy fitore.
Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja Istogu – Samadrexha. Istogu është kampion në fuqi, ndërsa stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë. Samadrexha ka bërë riorganizim të plotë për këtë edicion garues dhe përfundoi e treta. Ka angazhuar lojtare cilësore dhe pritet të rivalizojë Istogun.
Pritet një seri e ndeshjeve interesante dhe të forta mes këtyre dy skuadrave.
Gjysmëfinalja tjetër është të dielën prej orës 18:00. Takohen Ferizaj dhe Prishtina. Ferizaj, pos që fitoi Kupën, përfundoi në vend të parë në pjesën e rregullt të kampionatit. Prishtina ishte e katërta.
Në program janë edhe ndeshjet e xhiros së fundit (18) në Ligën e Parë të meshkujve dhe të femrave.
Vjosa – Samadrexha, Drenica – Ulpiana, Dukagjini – Prizreni, Llapi – Istogu, Drita – Lepenci janë ndeshjet te meshkujt, ndërsa te femrat janë: Vjosa – Llapusha, Dukagjini – KEK-u, Prizreni – Trepça.