Gjiganti i pajisjeve sportive, Kempa, sponsor i kombëtareve të Kosovës

Federata e Hendbollit të Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar për të ngritur kombëtaret e Kosovës në hendboll në nivel sa më të lartë. Plotësimi i kërkesave të kohës që kanë të bëjnë me ekipet kombëtare është një prej prioriteteve të Federatës tonë. Në këtë drejtim Federata e Hendbollit të Kosovës ka arritur sukses të madh duke nënshkruar marrëveshje sponsorizimi me kompaninë e njohur të pajisjeve sportive për hendboll, “Kempa”.

Me kompaninë gjigante gjermane, “Kempa”, është nënshkruar marrëveshje trivjeçare që ka hyrë në fuqi më 1 janar 2019 dhe që është e vlefshme deri më 31 dhjetor të vitit 2021. Marrëveshja e sponsorizimit ka të bëjë me veshëmbathjen e të gjitha ekipeve kombëtare të Kosovës në hendboll.

“Kempa” është kompani lidere në hendbollin ndërkombëtar. Dhjetë kombëtare kanë marrëveshje sponsorizuese me “Kempa”, duke përfshirë edhe Gjermaninë e madhe. Plot shtatë kombëtare që garuan në botërorin për hendbollistë që u mbajt këtë muaj në Gjermani e Danimarkë, pajisen me veshëmbathje sportive nga “Kempa”. Bëhet fjalë për Gjermaninë, Suedinë, Islandën, Katarin, Rusinë, Brazilin e Tunizinë. “Kempa” sponsorizon edhe shumë e shumë lojtarë të hendbollit e poashtu shumë skuadra në Belgjikë ,Gjermani, Estoni, Finlandë, Francë, Japoni, Lituani, Austri, Maqedoni, Poloni, Rumani, Rusi, Suedi, Zvicër, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Bellorusi, Hungari e Ukrainë.

Tash e tutje edhe kombëtaret e Kosovës do të kenë veshëmbathje cilësore të “Kempa”, që po zgjedhen nga hendbollistët gjithnjë e më shumë.

 “Kempa” është themeluar në vitin 2002, ndërsa është brend i kompanisë “Uhlsport”. “Kempa” ka marrë emrin në bazë të hendbollistit të njohur gjerman, Bernhard Kempa.

Lajme tjera