Hendbollistja e Kombëtares së Kosovës, Mirela Gjikokaj ka zhvilluar ndeshje të mirë për Follon në Norvegji. Të mërkurën, Follo HK fitoi derbin e kategorisë së dytë ndaj skuadrës Gjerpen HK me rezultat bindës, 31:23. Skuadra e Gjikokajt ishte mysafire.
Hendbollistja jonë ishte prej më të dalluarave, ndërsa ndeshjen e përfundoi me katër gola e pesë asistime.
Follo është e dyta me 27 pikë dhe në rrugë të mirë për kthim në elitë. Gjerpeni ka rënë në vendin e tretë.
Dy prej lojtareve kryesore të Kosovës, kapitenja Leonora Demaj dhe qendra Marigona Hajdari kanë vazhduar me paraqitje në elitën e Danimarkës. Skuadra e tyre, Ringkobing, të mërkurën pësoi 31:27 nga Horsensi. Marigona kontribuoi me një gol e katër asistime, ndërsa Demaj i kishte dy gola.
Pashke Marku ka luajtur edhe një ndeshje të mirë në Zvicër. Ajo realizoi tetë gola nga 12 tentime për Kreuzlingenin që humbi 37:23 nga Bruehl.