Gjyqtarët kosovarë të rregullt e të suksesshëm në Kupa Evropiane

Krahas klubeve kosovare të hendbollit, të rregullt dhe prezent gjithnjë e më shumë në Kupa Evropiane janë edhe gjyqtarët dhe delegatët nga Kosova. Gjyqtarët e Federatës së Hendbollit të Kosovës falë punës së mirë që kanë bërë e po bëjnë, kanë fituar respektin e përgjegjësve të garave në Federatën Evropiane të Hendbollit dhe po delegohen për ndeshje evropiane gjithnjë e më shumë. Madje tani janë të rregullt.

Vera ishte e ngarkuar për gjyqtarët e hendbollit nga Kosova që drejtuan ndeshje në kampionate evropiane e tani janë të angazhuar në Kupa Evropiane.

Qysh më 1 shtator dyshja e gjyqtarëve Eshref Beqiri – Ilir Krasniqi drejtuan ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës së EHF-së për hendbollistë në mes të Polva Serviti (Estoni) dhe BSV Bern (Zvicër). Ndeshja u mbyll baras, 26:26, ndërsa u luajt në Polva të Estonisë para 500 shikuesve.
Dyshja Sherif Xhema – Besfort Jahja drejtuan dy ndeshje të rrethit të parë të Kupës së EHF-së për hendbolliste. Më 14 e 15 shtator në Metzingen të Gjermanisë u takuan skuadra gjermane Tus Sies Metzingen dhe ajo nga Bosnja, HZRK Grude. Dy ndeshjet i fitoi skuadra gjermane që kaloi tutje, ndërsa gjyqtarët kosovarë morën vlerësime të larta për drejtimin e ndeshjeve.

Delegati i EHF-së nga Kosova, Fahredin Hashani, fundjavën e kaluar, më 16 shtator ishte në Pragë të Çekisë. Ishte delegat i takimit të rrethit të parë të Kupës së EHF-së mes Slavia Praha dhe skuadrës austriake UHF Mullner Bau Stockerau. Fitore shënoi skuadra vendase.

Çifti Xhema – Jahja tashmë është deleguar për ndeshjet e rradhës. Më 6 e 7 tetor do të qëndrojnë në Tournai të Belgjikës. Do të drejtojnë dy ndeshjet e skuadrave të hendbollistëve Estudiantes të Belgjikës dhe Parnassos Strovolou të Qipros. Janë këto takime të rrethit të dytë të Kupës Sfiduese.
Në shtetin fqinj të Belgjikës, Holandë, më 6 e 7 tetor do të qëndrojë dyshja Ilir Bytyqi – Syart Kasapi. Në Emmen të Holandës në kuadër të raundit të dytë të Kupës Sfiduese për hendbollistë luajnë JD Techniek Hurry-Up e Holandës me skuadrën nga Moldavia, Olimpus-85-U.

Në bazë të rejtingut që kanë krijuar gjyqtarët e delegatët, natyrisht edhe FHK-ja, delegime tjera priten për zyrtarët e ndeshjeve nga Kosova.

Lajme tjera