Të dielën në Prishtinë është grumbulluar Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll. Menjëherë në mbrëmje djemtë tanë kanë zhvilluar stërvitjen e parë nën urdhrat e kryetrajnerit Fatmir Muhaxheri dhe trajnerit Benon Brahushi.
Ekipi është i kompletuar, ndërsa hendbollistët janë të motivuar maksimalisht për ta shfrytëzuar sa më mirë periudhën përgatitore deri te ndeshja e parë në IHF Trophy Intercontinental.
Kjo ngjarje fillon të mërkurën në Prishtinë, ndërsa Kosova U18 luan fillimisht të enjten nga ora 17:00 ndaj Nigerisë. Ndeshja zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.
Kombëtarja U18 synon suksesin, përkatësisht vendin e parë që do të siguronte biletën për në Kampionat Botëror.