Hendbollistet e Kosovës fillojnë me ndeshje zyrtare

Ka nisur edicioni 2021/2022 për një pjesë të hendbollisteve të Kombëtares së Kosovës. Dy prej lojtareve kryesore, kapitenia Leonora Demaj dhe qendra Marigona Hajdari, kanë luajtur për skuadrën Ringkobing, që të premten zhvilloi ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Danimarkës. Përballë Ringkobingut ishte skuadra më e mirë në Danimarkë, Odense. Odense fitoi me rezultat bindës, 36:21.

Marigona Hajdari ka pasur paraqitje të mirë duke bërë shtatë asistime. Është shquar me organizimin e lojës dhe pasime mjeshtërore. I është kërkuar që në ndeshjet tjera të depërtoj më shpesh individualisht. Marigona është qendra e parë e skuadrës që këtë edicion luan në elitën daneze. Kampionati danez fillon të mërkurën për Ringkobingun.

Ndërkohë Leonora Demaj ka luajtur në pjesën e dytë për Ringkobingun. Për të ishte ndeshja e parë zyrtare pas rreth një viti e gjysmë. Leonora ka munguar gjatë për shkak të një lëndimi dhe një operimi në gju. Ajo po kthehet gradualisht në ritmin e ndeshjeve. Për shkak të një lëndimi të gjurit, Ringkobingut për kohë të gjatë do t’i mungojë Arlinda Hajdari, reprezentuesja tjetër e rëndësishme e Kosovës.

“E kishim përballë ekipin më të mirë në Danimarkë dhe e kemi pritur këtë rezultat. Të gjitha lojtaret janë reprezentuese të Danimarkës, ndërsa ka edhe nga Holanda. Do të kemi shumë ndeshje me ekipe me shumë kualitet si Odense dhe do të kemi shumë humbje. Por do të mësojmë prej secilës ndeshje dhe me rëndësi është të zhvillohemi në aspektin individual dhe ekipor”, ka thënë Marigona Hajdari.

Po në kuadër të Kupës së Danimarkës, Njoma Zogaj shënoi një gol për Aalborgun që humbi 36:28 nga Nykobingu. Aalborgu do të garoj në kategorinë e dytë daneze.

Mirela Gjikokaj shënoi tri gola për skuadrën Follo që humbi 32:27 nga Fjellhammer në Kupën e Norvegjisë. Follo në edicionin e ri luan në elitën e Norvegjisë kurse ndeshjen e parë e zhvillon pas pak ditësh. Të kujtojmë që Danimarka e Norvegjia janë vendet me hendbollin e femrave më të zhvilluar në botë. Lojtaret që bëjnë karrierë në këto vende përbëjnë bazën edhe në Kombëtaren e Kosovës.

Lajme tjera