Ka pasur përmirësime në lojën e Kombëtares U17 të Kosovës në hendboll, por jo të mjaftueshme për ta shmangur edhe humbjen e dytë. Të dielën në Klaipeda të Lituanisë në kuadër të Evropianit të Divizionit B, Kosova U17 humbi nga Maqedonia e Veriut me 33:15. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:5.
Loja e vajzave tona ishte më e mirë se ndaj Spanjës, por ka ende shumë hapësirë për përmirësim. Ky edhe është qëllimi primar sa i takon Evropianit në Lituani – fitimi i përvojës ndërkombëtare nga vajzat dhe përballja e tyre me nivelin më të lartë. Për shkak të pandemisë vjet nuk kishte aktivitete evropiane dhe kjo gjeneratë po grumbullohet për herë të parë.
Eriona Gecaj ka shënuar 5 gola nga 10 tentime. Ornela Haxhiu i kishte 3 gola nga 12 tentime, ndërsa 3 gola nga 6 tentime i shënoi Agnesa Hysa. Efikasitet jo të duhur kishte edhe Elsa Kongjeli që shënoi 2 gola nga 8 tentime. Nga një gol e shtuan Flaka Hoti e Arona Krasniqi, ndërsa edhe lojtare tjera kishin probleme me efikasitet.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e luan me Finlandën.