Hendbollistët kosovarë të gatshëm për Kupën Botërore të Universiteteve

Ekipet e “Universitetit të Prishtinës” në hendboll janë të gatshme për Kupën Universitare Botërore në Hendboll që gjatë javës së ardhshme mbahet në kryeqendrën tonë. Federata e Hendbollit e Kosovës është partnere e këtij organizimi, ndërsa e ka pasur përgjegjësinë e përzgjedhjes dhe përgatitjes së ekipeve të hendbollistëve dhe hendbollisteve.
Për përzgjedhjen e ekipeve të UP janë angazhuar selektorët e Kombëtareve A të Kosovës, Bujar Qerimi (meshkujt) dhe Agron Shabani (femrat).
Nën urdhërat e Qerimit dhe Shabanit, ekipet e UP kanë stërvitur për një javë në Prishtinë. Grumbullimi është bërë me kohë, ndërsa edhe faza përgatitore është kryer me sukses.
Ndeshjet e Kupës Botërore Universitare në Hendboll zhvillohen në palestrën 1 Tetori dhe në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Në 1 Tetori luajnë studentët, ndërsa në Pallatin e Rinisë dhe Sportit luajnë studentet.
Te hendbollistët, ekipi i Universitetit të Prishtinës është në grupin A së bashku me universitetet nga Spanja, Portugalia dhe Shqipëria.
Ndeshjen e parë hendbollistët tanë e kanë të hënën nga ora 19:30 me Universitetin që e përfaqëson Spanjën, “University of Castilla-La Mancha”. Ndeshja e parë te hendbollistët luhet prej orës 14:00, ndërsa e dyta prej orës 16:00. Prej orës 18:00 është ceremonia hapëse e Kupës Botërore.
Te hendbollistet, Universiteti i Prishtinës është në grup me ekipet e Spanjës dhe Kroacisë. Hendbollistet tona ndeshjen e parë e luajnë të hënën prej orës 15:00. Takohen po ashtu me ekipin universitar që përfaqëson Spanjën, “University of Castilla-La Mancha”.

Lajme tjera