Hendbollistët e Universitetit të Prishtinës e kanë fituar ndeshjen e parë në Kupën Botërore Universitare që po mbahet në kryeqytetin tonë.
Të hënën në palestrën 1 Tetori në Prishtinë, Universiteti i Prishtinës fitoi ndaj ekipit të Universitetit nga Spanja “Castilla – La Mancha” me rezultatin 35:32.
Ndeshja ishte interesante, e fortë dhe u vendos vetëm në fund. Ndërkohë u zhvillua në ambient të bukur sportiv që e krijuan shikuesit, kryesisht studentë.
Universiteti i Prishtinës kishte epërsi prej dy golash pas pjesës së parë, 15:13. Por spanjollët u mbajtën në lojë dhe fundi ishte dramatik. Në minutën e 46-të rezultati u barazua në 23:23 e më pas u luajt për secilin gol. Në minutat e fundit portieri Arti Luzha bëri katër pritje, ndërsa në anën tjetër shënuan Drenit Tahirukaj, Atdhe Basholli, Arbios Mushkolaj, Lulzim Shabani për fitoren 35:32.
Spanjollët u mbajtën thuajse deri në fund dhe bën që loja të jetë dramatike.
Drenit Tahirukaj ishte më efikasi prej hendbollistëve tanë me 10 gola. Arbios Mushkolaj i shënoi 6 gola, kurse nga 5 i kishin Jon Muqolli, Atdhe Basholli e Shkëlzen Samahodaj.
Të martën prej orës 19:00 ekipi ynë universitar takohet me Universitetin që përfaqëson Portugalinë. Edhe kjo ndeshje luhet në 1 Tetori.