Hendbollistet tona premtojnë maksimumin, shpresojnë në përkrahje nga tribunat

Atmosfera në Kombëtaren e Kosovës në hendboll në prag të ndeshjes së dytë me Poloninë është shumë e mirë. Hendbollistet tona janë të përkushtuara që të japin maksimumin në ndeshjen e vështirë me Poloninë, që zhvillohet të mërkurën prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Ndeshja i takon fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror të këtij viti. Javën e kaluar Kombëtarja jonë pësoi 36:22 në ndeshjen në Poloni. Ditëve të kaluara është punuar që të përmirësohen gabimet e shfaqura në ndeshjen e parë, ndërsa në shtabin teknik janë të kënaqur me punën e bërë.
Edhe hendbollistet janë optimiste për paraqitje të denjë, ndërsa kanë premtuar luftë sportive nga fillimi e deri në fund për të prezantuar sa më mirë ngjyrat e shtetit.
Cilësia e Polonisë nuk kontestohet, por me përkrahje nga tribunat rezultati pozitiv është më i mundshëm.
Me arritje në fazën e dytë kualifikuese për Botëror, Kombëtarja jonë ka regjistruar sukses historik. Tani lojtaret tona llogaritin në përkrahje të zëshme nga tribunat për të konfirmuar ngritjen e madhe të bërë në vitet e fundit.

Lajme tjera