Humbim nga Gjermania, por bëjmë lëvizje para

Ashtu si pritej, Gjermania ka fituar bindshëm ndeshjen me kombëtaren tonë, të luajtur të dielen në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ndeshjen e fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020” për hendbolliste, Gjermania e fitoi ndaj Kosovës me rezultat 34:15. Por është vlerësuar se Kosova ka bërë lëvizjen para që e ka synuar nga ky takim.

Në pjesën e parë kemi qenë rival thuajse të barabartë me Gjermaninë, që ka lojtare të nivelit më të lartë botëror, përvojë shumë më të pasur e po ashtu fond më të madh të lojtareve cilësore. Pjesa e parë përfundoi 14:8 në të mirë të Gjermanisë, por shkëputja pak më e madhe është bërë vetëm në momentet e fundit të kësaj pjese. Për kohë të gjatë Kosova ka qenë rivale e barabartë me Gjermaninë, ndërsa dy herë kishim edhe epërsi prej një goli, 4:3 e 5:4.

Në pjesën e dytë lojtaret e Gjermanisë kanë shfaqur tërë potencialin që kanë, ndërsa kanë shfrytëzuar maksimalisht dobësitë e lëshimet në lojën tonë. Kështu në fund epërsia e Gjermanisë arriti në 19 gola.

Selektori Agron Shabani ka vlerësuar paraqitjen e vajzave tona në pjesën e parë, duke thënë se në vazhdim të kualifikimeve, sidomos në ndeshjet me Bjellorusinë, synohet më shumë.

Të mos harrojmë që Gjermania është top-kombëtare evropiane me suksese të mëdha ndërkombëtare. Pas disa javësh Gjermania do të luajë në kampionatin botëror, së bashku me Slloveninë, me të cilën u përballëm disa ditë më parë në Maribor.

Ndeshja Kosova – Gjermania është luajtur në atmosferë shumë të bukur që e kanë krijuar rreth 1500 shikues sa ishin prezent. Vajzat por edhe shtabi teknik janë shprehur falenderuese për përkrahjen e shikuesve.

Kapitenja Leonora Demaj ka shkëlqyer në ndeshje ndaj Gjermanisë. Ajo ka shënuar plot 10 gola, disa prej tyre shumë të bukur. Edhe vajzat tjera kanë dhënë maksimumin ndaj gjermaneve me përvojë.

Kosova – Gjermania 15:34 (8:14)

Kosova: Arifi 1, Mehmeti, Ylberi, Rama, Zaskoku, Aliu, Kelmendi, Merditaj, Rugova 1, Shehdadi, Stagova, Halitaj, Gjikokaj 2, Demaj 10, Lekaj 1, Kastrati.

Lajme tjera