Ish-kundërshtari i Kosovës fiton të bronztën në Evropian

Holanda e ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin evropian për hendbolliste që sot përfundon në Francë. Në ndeshjen për vend të tretë Holanda fitoi ndaj Rumanisë me rezultat 24:20. Ndeshja u luajt të dielen në Paris para 13,145 shikuesve. Për Holandën është medalja e dytë rresht në kampionate evropiane. Para dy vitesh holandezet kishin pësuar në finale nga Norvegjia.

Këtë herë Holanda nuk luajti në finale, por megjithatë fitoi medalje evropiane. Në ndeshjen për vend të tretë udhëhoqi prej fillimit deri në fund ndaj Rumanisë. Estavana Polman ishte më efikasja te Holanda me shtatë gola, kurse gjashtë gola për Rumaninë i realizoi Valentina Ardean-Elisei. Në gjysmëfinaleHolanda kishte pësuar nga Franca, ndërsa Rumania nga Rusia. Finalja Rusia – Franca luhet sot prej orës 17:30.

Në rrugën drejt medaljes së bronztë evropiane, Holanda është takuar edhe me Kosovën. Në fazën e dytë kualifikuese për “Euro 2018”, Holanda e Kosova ishin pjesë e grupit 7. Holanda fitoi dy ndeshjet me Kosovën, por përballja me holandezet ishte përvojë shumë e vlefshme për hendbollistet tona. Hungaria e Holanda u kualifikuan në Evropian prej atij grupi.

Të dielen është shpallur edhe ekipi më i mirë i Evropianit që përbëhet nga: Amandine Leynaud (Francë – portiere), Carmen Martin (Spanjë – alo e djathtë), Alicia Stolle (Gjermani – bek i djathtë), Stine Oftedal (Norvegji – qendër), Noemi Hafra (Hungari – bek i majtë), Majda Mehmedoviq (Mali I Zi – alo e majtë), Crina Pintea (Rumani – pivot). Lojtarja më e mirë mbrojtëse është shpallur holandezja Kelly Dulfer. Ndërsa lojtarja më e mire (MVP) rusja Anna Vyakhireva.

Lajme tjera