Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Istogu e luan në Prishtinë ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës Evropiane

Të dielën prej orës 19:45, kampioni i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave, Istogu, e luan ndeshjen e radhës ndërkombëtare. Në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Istogu takohet me skuadrën nga Çekia, Hazena Kynzvart. Kjo është ndeshja e parë e raundit të tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup).
Ndeshja e kthimit është në Cheb të Çekisë më 17 nëntor.
Tek Istogu janë përgatitur maksimalisht në kërkim të suksesit ndaj skuadrës cilësore nga Çekia.
Në xhiron e dytë të Kupës Evropiane, Istogu e eliminoi skuadrën greke, Pylaia Thessaloniki. Ndaj saj i zhvilloi të dy ndeshjet në Pejë dhe arriti dy fitore. Istogaset ende nuk mund të luajnë në palestrën e tyre, për shkak të renovimit të tejzgjatur e që nuk dihet se kur do të përfundojë. Palestra në Istog ka kohë të gjatë që është jashtë përdorimit.
Istogu ka debutuar në gara evropiane në edicionin 2017/18. Prej atëherë është rregullisht pjesë e skenës evropiane. Në shtatë pjesëmarrjet e kaluara, tri herë ka kaluar nga një kundërshtar evropian. Për herë të parë synon që ta kalojë edhe kundërshtarin e dytë, ndonëse skuadra çeke vlerësohet cilësore.
Por edhe Istogu ka formuar skuadër cilësore, ndërsa pret edhe përkrahjen e shikuesve për të bërë hapin e madh drejt fazës tjetër.