Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Istogu e Vushtrria fitojnë ndeshjet e mbetura, Samadrexha avancon në Kupë

Kampioni në fuqi, Istogu, e ka fituar ndeshjen e mbetur të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Të mërkurën mbrëma në Banjë, Istogu fitoi ndaj skuadrës nga Obiliqi, Tereza, me rezultat 40:25.

Lana Paviçeviq i shënoi 12 gola për Istogun. Tetë i kishte Arlinda Dinarica.

Kaltrina Paci u shqua te Tereza me nëntë gola. Gjashtë i shtoi Arjeta Imeraj.

Istogu tani i ka 12 pikë në vendin e dytë. Tereza mbetet e teta me një pikë.

Të mërkurën u luajt edhe ndeshja e xhiros së nëntë mes Prishtinës e Vushtrrisë. Fitore shënoi skuadra vushtrriase me rezultat 51:27. Agnesa Hysa me 13 gola, Gentiana Basholli me 12 dhe Albulena Kelmendi me 11 gola udhëhoqën Vushtrrinë.

Te Prishtina tetë gola i kishte Fionë Krasniqi e shtatë Angelika Luberecka.

Vushtrria tani i ka katër pikë në vendin e shtatë. Prishtina mbetet e fundit përkatësisht e nënta me një pikë.

Të mërkurën u zhvillua edhe ndeshja e raundit të parë të Kupës së Kosovës mes Samadrexhës dhe KEK-ut. Samadrexha fitoi me rezultat 60:21.

Dorentina Qufaj i kishte 16 gola për Samadrexhën, kurse 13 i realizoi Ardiola Surdulli. Anisa Grajqevci i shënoi dhjetë gola për KEK-un.