Istogu, Ferizaj e Vushtrria janë kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll (femrat).
Të mërkurën mbrëma janë zhvilluar tri prej katër ndeshjeve çerekfinale të garës për Kupë. Dhe skuadrat pretendente nuk kanë lejuar befasi.
Fituesi në fuqi i Kupës, Istogu ka mposhtur Prishtinën në kryeqytet me rezultat 37:26.
Ana Carolina Gomes e Esma Muratoviq i shënuan nga 7 gola për Istogun. Te Prishtina më efikasja ishte Sia Celine Tolno me 13 gola.
Si mysafir fitoi edhe Ferizaj. E mposhti Shqiponjën e Gjakovës me rezultat 41:24. Shkurte Mehmeti i realizoi 8 gola te Ferizaj, kurse te Shqiponja tri lojtare i realizuan nga 5 gola.
Ndërkohë Vushtrria e mposhti skuadrën deçanase Jusuf Gërvalla me rezultat 35:28. Agnesa Hysa udhëhoqi Vushtrrinë me 8 gola. Arjeta Imeraj ishte më efikasja te Jusuf Gërvalla me 13 gola.
Të enjten është çerekfinalja e fundit mes Samadrexhës e Kastriotit.