Kampioni në fuqi, Istogu, është shkëputur në tabelën e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të martën mbrëma Istogu e fitoi derbin e xhiros së 11-të ndaj Samadrexhës. Ndeshja në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë përfundoi me fitoren 32:30 të istogaseve.
Ndeshja ishte e fortë, ndërsa u zhvillua para rreth 500 shikuesve, në një ambient të bukur sportiv.
Në pjesën e parë mysafiret kishin epërsi pas minutës së 15-të, por vendaset qëndruan pranë në rezultat. Në minutën e 44-t Samadrexha ia doli të barazojë në 22:22, por pasoi një seri 3:0 e Istogut për 25:22. Më Samadrexha nuk ia doli të afrohet.
Astou Ndiaye udhëhoqi Istogun duke i shënuar plot 12 gola. Dhjetë i realizoi Lana Paviçeviq.
Te vendaset shkëlqeu Arlinda Maloku me plot 13 gola dhe efikasitet shumë të lartë. Gjashtë gola i shënoi Jennifer Amanda Toldeo Abreu, ndërsa pesë i kishte Tina Hetemi.
Istogu tani udhëheq me 18 pikë, dy më shumë se Ferizaj. Samadrexha është e pesta me 10 pikë.