Istogu i gatshëm për suksesin historik ndaj italianeve

Hendbollistet e Istogut e kërkojnë suksesin historik në ndeshjet që i luajnë të shtunën e të dielen në pallatin e sportit “Karagaçi” në Pejë. Istogu luan me ekipin nga Italia, Cassano Magnago në rrethin e tretë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup).  Ndeshja e parë zhvillohet të shtunën prej orës 20:00 kurse e dyta të dielen nga ora 17:00.

KHF Istogu për herë të dytë paraqitet në kupa evropiane kurse kërkon kualifkimin për herë të parë. Skuadra e Faruk Shalës pret të ketë përkrahje të madhe të tifozëve në këto dy ndeshje historike për qytetin e Istogut, ndërsa udhëtimi nga Istogu për në Pejë bëhet në mënyrë të organizuar dhe pa pagesë.

Istogu ka treguar formë të lartë në ndeshjet e fundit dhe ka bërë stërvitje shtesë që sa më i gatshëm të pret ndeshjet me italianet e Cassano Magnago. Në përbërje Istogu ka shumë lojtare reprezentuese të Kosovës që pritet ta bartin barrën kryesore. Kapitenja Albina Rugova ka thënë se skuadra është e gatshme për ndeshjet evropiane. “Jemi të gatshme, kemi punuar shumë kohëve të fundit. Gjithçka po shkon sipas planit, vajzat janë të gjitha në formën e duhur për ndeshjet kundër italianeve. Besoj shumë në ekipin tim, cilësia nuk na mungon, vetëm shpresoj që edhe fati të jetë në anën tonë”, ka thënë Albina Rugova.

Lajme tjera