Istogu ka dominuar në hendbollin e femrave edicionin e kaluar. E ka fituar titullin e parë historik dhe për herë të dytë ka fituar Kupën e Kosovës në hendboll.
KHF Istogu tashmë është në vlugun e përgatitjeve për edicionin e ri, ndërsa kapitenja Albina Rugova është optimiste për një kampionat tjetër shumë të suksesshëm. Prej 27 gushtit skuadra e Istogut është në përgatitje në Rozhajë të Malit të Zi, ku i ka kushtet optimale për fazë përgatitore.
Istogu tashmë ka kompletuar edhe skuadrën për edicionin e ardhshëm, ndërsa po ashtu do të garojë në Kupa Evropiane. Në kuadër të raundit të parë të Kupës së EHF-së, KHF Istogu luan me skuadrën e njohur nga Bjellorusia, Gomel. Dy ndeshjet luhen në Bjellorusi, më 13 e 14 shtator.
“Përgatitjet po shkojnë mjaftë mirë. Kemi filluar më 14 gusht në Istog, por që për shumë arsye nuk kanë qenë me skuadrën të gjitha hendbollistet, e po ashtu edhe ato në të cilat klubi llogarit të jenë përforcime për këtë vit. Nga 27 gushti jemi në përgatitje në Rozhajë, ku po stërvitemi dy herë në ditë. Fatmirësisht kemi kushtet shumë të mira për stërvitje, si palestra, fitnesi dhe hapsira profesionale për vrapim. Skuadra është kompletuar, kemi dy lojtare të reja që pritet të mbulojnë hapsirën në klub, pasi që disa lojtareve nuk janë më pjesë e Istogut. Synimet e klubit Istogu janë të qarta. Ne gjithmonë luftojmë për trofe. Edhe kësaj rradhe imperativ do të jetë t’i mbrojmë trofetë e fituar edicionin e kaluar dhe të përfaqësojmë në mënyrë të denjë hendbollin kosovar në Evropë”, ka thënë kapitenja Albina Rugova. Lojtarja e krahut pritet të jetë prej lojtareve kryesore të Istogut edhe në kampionatin e ri.