Janë luajtur të shtunën katër ndeshje të xhiros së 22-të të Superligës së hendbollisteve. Është kjo xhiroja e fundit e pjesës së rregullt të garave.
Istogu ka vazhduar ecurinë pozitive, duke shënuar fitoren 22-të rresht. Istogaset fituan bindshëm ndaj Ferizajt me rezultat 42:19. Ndeshja e liderit me kampionin në fuqi u luajt në Ferizaj.
Istogu në plejof starton nga pozita e parë. Ka bilanc maksimal, 22 fitore e 44 pikë. Në plejof do të luaj edhe Ferizaj, që starton nga pozita e katërt. Pra këto dy skuadra do të takohen edhe në gjysmëfinale të plejofit.
Dukshëm më tepër rivalitet kishte në Vushtrri ku u takuan Vushtrria e Prishtina. Fitore me rezultat 27:26 shënoi skuadra prishtinase.
Vushtrria në plejof starton nga pozita e dytë ndërsa Prishtina nga e treta. Edhe këto dy skuadra takohen mes vete.
Po të shtunën, Jusuf Gërvalla fitoi ndaj Kastriotit në Ferizaj me 25:23, kurse Shqiponja e mposhti KEK-un me 27:22.
Nesër janë ndeshjet Drita – Vjosa e Samadrexha – Vëllaznimi.